Edhe dy ditë kanë mbetur deri me fillimin e sezonit dimëror në trafik, përkatësisht datës 15 nëntor. E deri në këtë datë të gjithë shoferët e Kosovës duhet të bëjnë përgatitje për veturat e tyre, kjo pasi me Ligj mbi trafikun rrugor përcaktohet edhe mbajtja e pajisjeve dimërore për sezonin dimëror.
Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha për Indeksonline ka thënë se Policia do të ushtrojë kontrolle për zbatimin e këtij ligji, duke përfshirë rrugët lokale, rajonale e autostrada.
“Policia e Kosovës është e përkushtuar në zbatimin e ligjit të trafikut dhe me njësitet e saj do të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme për implementimin e tij në gjithë vendin, duke përfshirë rrugët lokale, rajonale dhe autostrada”, thuhet në përgjigjën e tij.
Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik të parapërgatiten dhe të jenë vigjilent gjatë vozitjes në këtë sezonë dimërore.
“Kërkohet nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik në veçanti drejtuesit e automjeteve që të parapërgatiten, të jenë vigjilent gjatë pjesëmarrjes në trafik dhe qarkullimin në rrugë gjithnjë të ia përshtatin kushteve të rrugës, në mënyrë që të garantohet një qarkullim i sigurt për vet drejtuesit si dhe për të gjithë pjesëmarrësit tjerë në trafik”, theksoi Hoxha.
Ai ka shtuar se shpejti do të publikohet një broshurë për njoftimin dhe sensibilizimin e pjesëmarrësve në trafik, si dhe masat e aplikueshme.
Me këtë datë shumica e shteteve evropiane sugjerojnë dhe detyrojnë të gjithë qytetarët e tyre që janë posedues të një automjeti, të ndërrojnë gomat e verës me të dimrit, nëse nuk e kanë bërë me herët këtë proces.
Ashtu si edhe në shtetet Evropiane, edhe Kosova karakterizohet si një vend që ka dimër të ashpër me borë dhe ngrica.