Edhe pse pushteti serb ka mbyllur Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, stafi i festivalit “Pre Foto” mbajti ceremoninë e ndarjes së çmimeve në ambient të hapur, ku nderoi me shpërblime fotografë nga vende të ndryshme të botës.
Çmimin e parë e fitoi fotografi nga Iraku, Ali Sabih, çmimin e dytë e fitoi fotografja nga Gjermania, Klodjo Dijet, kurse atë të tretin Pedro Lyse, nga Spanja. Këto çmime i ndau fotografi turk, njëherësh anëtar i jurisë, Mustafa Dedollu.
Ndërkaq, Çmimin Special e fitoi Halil Xhafa nga Kosova, Çmimin Inkurajues e fitoi Kristjana Slugevica nga Lituania dhe çmimin e karrierës e mori Havç Hasani nga Presheva, e njohur ndër të tjerash për aktivitetin e saj për fuqizimin e gruas.
Gjatë këtij festivali u ndanë edhe çmime të tjera, fituesit e të cilëve ishin nga Kosova, Shqipëria, Presheva e vende tjera të Serbisë, Rusia, Belgjika, etj.
Drejtori artistik i këtij festivali, Edon Agushi tha se ky festival synon ta promovojë Luginën e Preshevës në aspektin kulturor dhe të bashkojë fotografë nga e gjithë bota. Ai po ashtu tha se mbyllja e Shtëpisë së Kulturës veç sa e mobilizoi më shumë komunitetin dhe e rriti numrin e pjesëmarrësve.
“Neve na u mbyll Shtëpia e Kulturës, Galeria e Artit, gjithçka kishim përgatitur dhe na kishte mbetur vetëm ta prisnim shiritin dhe për ta hapur. Por ndoshta, e ka edhe anën e mirë, sepse gjithë këta njerëz nuk do t’i kishte zënë salla. Kjo është një gjë shumë ma e mirë që e mbajtëm prapë jashtë”, ka thënë Agushi, raporton Kosovapress.
Kurse drejtori i Departamentit të Kulturës në Kosovë, Feim Hoxha në emër të MKRS-së, u zotua se do ta përkrahin edhe më tutje këtë festival.
“Në emër të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Gashi, shpreh falënderimet më të përzemërta nga ne dhe njëkohësisht zotohem që këtë aktivitet kaq serioz, kaq të rëndësishëm dhe aktivitete tjera si ky, MKRS do të vazhdojë t’i mbështesë”, ka thënë Hoxha.
Ndërsa kryetari i Komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi i bëri thirrje edhe Ministrisë së Kulturës në Shqipëri që ta përkrahë këtë festival.
“Pra me të vërtetën, përmes fotove, Pre Foto tregon të vërtetën edhe të Preshevës, edhe të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, një aktivitet si ky meriton përkrahje, jo vetëm nga Ministria e Kulturës në Prishtinë, besoj se duhet edhe Ministria përkatëse në Tiranë të japë përkrahje. Por në radhë të parë komunat tona janë ato që duhet të marrin obligim që projektet e tilla dhe projekte të ngjashme t’i përkrahin”, ka thënë Kmaberi.
I pranishëm ishte edhe kryetari i Këshillit Kombëtar, Shukri Imeri i cili tha se interesi për pjesëmarrje në këtë festival po rritet çdo vit e më shumë
“Këshilli kombëtar shqiptar ka ndihmuar këtë aktivitet rregullisht nga viti 2010, edhe këtë vit e kemi ndihmuar, por nuk mund të krenohemi se kemi bërë ndonjë ndihmë kushedi sat ë madhe, por me mundësitë dhe kapacitetet tona kemi dashur që këtyre të rinjve dhe aktiviteteve të tilla t’i ndihmojmë, të avancohen”, ka thënë Imeri.
Ndërsa drejtori i DokuFest-it, i cili ishte edhe folës në një debat në kuadër të këtij festivali, bëri apel që ky festival të përkrahet më shumë financiarisht. Ky festival u përkrah nga Ministria e Kulturës së Kosovës, ajo e Serbisë, Komuna e Bujanovcit, Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi dhe disa biznese private, por nuk mori përkrahje financiare nga komuna e Preshevës, ku edhe u realizua./koha/