Rritja e aksidenteve në komunikacion ka bërë që Policia e Kosovës të fillojë një fushatë vetëdijesuese më moton “ Përqendrohu në ngasje”. Sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës, vetëm për nëntë muajt e parë të këtij viti janë shënuar mbi 100 raste që kanë përfunduar me fatalitet si pasojë e aksidenteve në komunikacion.
Qytetarët e Kosovës ndihen të rrezikuar nga aksidentet e trafikut rrugor. Sipas Leonora Gashit, qytetare, është brengosëse fakti se këmbësorët, përfshirë fëmijët, janë viktimat më të shpeshta.
“Nuk je i sigurt… shumë keq që po janë shumë të shpejta brenda qytetit edhe policia duhet me qenë në gjendje gatishmërie”, tha ajo.
Për taksistin Ramiz Shala, kjo gjendje e krijuar në trafik ka ardhur si pasojë e tollovisë së shumët në komunikacion.
“Ne jemi në komunikacion gjithë ditën, këmbësori kur të vjen në zebra për çudi ngadalësohet, me atë ndjenjën që ka përparësi edhe bon çka të dojë, edhe shumë trafik po ka”, tha ai
Por, Drita Avdyli, një qytetare tjetër, pohon të kundërtën.
“Edhe pse është vendkalim për këmbësorë, ata nuk ndalen edhe në fund edhe ty –këmbësorin- të bëjnë fajtor”.
Duke e parë gjenden e rëndë të aksidenteve në komunikacion, Policia e Kosovës ka filluar me një aksion më moton “ Përqendrohu në ngasje”, tha për Radio Kosovën zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.
“Në fakt i drejtohet më tepër drejtuesve të automjeteve, për arsye se ka qenë shqetësues fakti se rreth 42 aksidente janë shkaktuar nga i ashtuquajturi vetë aksident”,tha Krasniqi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka shpreh shqetësimin lidhur me numrin e madh të aksidenteve në trafik. Në faqen zyrtare thuhet se numri i të vdekurve paraqet shifra alarmante dhe është shqetësues fakti se 17-të nga ta janë këmbësorë. Sipas tyre, deri më tani është ndërmarrë shumë pak në parandalimin e tyre.