Përkujdesja për autoritetet kombëtare! – (të mbrohet nëpërmjet forcës së ligjit)
Shkruan: Gani NEZIRI
Kujtoj se edhe ne në Kosovë kemi nevojë për “idhuj” kombëtar të pacenueshëm ashtu si që kanë edhe popujt e tjerë të mëdhenj e të qytetëruar. Pra, e kujtoj për detyrim shtetëror përkujdesin e ruajtjes së autoriteteve tona të veçanta kombëtare nëpërmjet fuqisë ligjore.
Me këtë rast, (kushtimisht po them) po shpresoj se do të pajtohemi për tri familje kosovare që mund të përfaqësojnë tre figurat më madhore të historisë më të re në Kosovë.
1. Familja e idealistit të rezistencës aktive antijugosllave, bacës Adem Demaçi.
2. Familja e idealistit të rezistencës së qetë moderne-qytetare, zotëri Ibrahim Rugova.
3. Familja e legjendës së rezistimit kulmor të armatosur, kryetrimit Adem Jashari.
Kujtoj se çdo shqiptarë i lexueshëm, tanimë e ka të qartë se asnjë nga familjarët e sotëm të autoriteteve të lartpërmendura nuk posedojnë asnjë parakusht që të mund të arrijnë shkallën e zotësisë e të autoritetit kombëtarë të prindërve të tyre.
Përkundrazi, krejt lehtë do të mund të denigrojnë. Madje, askush më shumë se familjarët nuk mund të godas e të poshtëroj autoritetin e “idhujve” tanë. Kjo, nuk është interesi i tyre, e madje, as interesi ynë. Sepse, po na shembet krenaria për udhërrëfyesit tanë.
Prandaj, do të ishte e mira e gjithë të mirave që të frenojmë ambiciet e tyre politike nëpërmjet ligjit. Pra, kujtoj se Kuvendi i Kosovës duhet të mos vonohet për të nxjerr ligj të posaçëm lidhur me këtë çështje.
/autori është anëtar i Kryesisë së PDK, dega në Gjilan/