Pas një pushimi dyjavor për shkak të ndeshjeve që i pati përfaqësuesja e Kosovës në futboll, dy ekipet gjilnase Drita dhe Gjilani do t’I zhvillojnë ndeshjet e tyre këtë fundjavë.
SC Gjilani, që sivjet pati formë të luhatshme do të përballet me Ballkanin e Suharekës, ekip ky që po mundohet t’I ik fundit tabelës dhe në pushimin dimëror të jetë sa më i qetë. Gjilani synon që të vazhdojë serinë e ndeshjeve të mira dhe prêt që edhe nga Suhareka të kthehet i pamposhtur.
Punë shumë të vështirë do të ketë Kampioni i tashëm i Kosovës në futboll FC Drita. Ajo në fushë të vet në Gjilan do të përballet me Ferroniklin, ekip që në Gjilan do të udhëtojë për fitore. Ndeshja bëhet edhe më interesante nga shkaku se Prishtina, që është e para në tabelë, ka barazuar në Ferizaj, kurse Feronikli me fitore eventuale në Gjilan do të dilte në pozitën e parë.
Edhe Drita ka llogaritë e veta, ngase kjo ndeshje është momenti i fundit, ku do të kuptohet se a është Drita njëra nga ekipet që do të synojë kreun e tabelës.
Gjithsesi se ballafaqimi Drita – Feronikli do të jetë ndeshja më interesante e kësaj xhiroje, andaj besohet se prania e shumë shikuesve në këtë ndeshje do të jetë motiv shtesë për lojtarët e Dritës për të shënuar fitore.