Mbledhja e dy qeverive sot në Pejë, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, ka ngjallur reagime dhe kundërshtime të shumta, një e tillë ka ardhur edhe nga Lugina e Preshevës.
I sapo zgjedhuri në Luginën e Preshevës si Kryetar i Këshillit Kombëtar, Ragmi Mustafa, duke thënë se dy qeveritë nuk përfshinë asgjë për Luginën, kështu duke e diskriminuar këtë pjesë, njofton gazetametro.net.
Mustafa i ka rikujtuar Kosovës dhe Shqipërisë themelimin e ‘Fondit të përbashkët për Luginën e Preshevës’ ne vitin 2014 në Prizren, fond ky që qëllim kishte investimet për shqiptarët në atë pjesë.
Po ashtu Mustafa ka thënë se mbështetja nga Tirana dhe Prishtina duhet të jetë jetike për shqiptarët e Luginës, pasi nga Qeveria e Serbisë ata po vazhdojnë të diskriminohen në të gjitha fushat, njofton gazetametro.net.
Postimi i plotë i Mustafës:
I zhgënjyer që qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës nuk përfshinë asgjë për Luginën e Preshevës, në marrëveshjen e sotme të firmosur midis tyre, në mbledhjen e përbashkët të Pejës.
“Fondi i përbashkët për Luginën e Preshevës” i themeluar nga dy qeveritë e atëhershme në Prizren më 2014 ishte një vendim inkurajues.
Përderisa Lugina e Preshevës vazhdon të diskriminohet në të gjitha fushat nga Qeveria e Republikës së Serbisë, mbështetja e sotme e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare është edhe më jetike se dje, për shqiptarët në Serbi.
Qeverisja e re e Këshillit Kombëtar Shqiptar do të angazhohet për thellimin e komunikimit dhe të bashkëpunimit me kabinetet qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës.
Modeli i bashkërendimit dhe bashkëveprimit të Këshillave Kombëtare Hungareze dhe Kroate me Budapestin dhe Zagrebin zyrtar, janë një shembull i mirë që mund të na shërbejë edhe neve në të ardhmen.