Në Gjilan është shënuar 50-vjetori i demostratave të vitit 1968, në kuadër të aktiviteteve të shumëta në shënim të 550-vjetorit të vdekjes së heroit të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Kreu i Gjilanit, duke folur para të pranishmëve të shumtë, ka thënë se pa këtë protest e këtë guxim, shqiptarët nuk do të ishin këta që janë sot.
“Në përvjetorin e madh të Skënderbeut, sot po e shënojmë 50-vjetorin e lëvizjes së demonstrative të nxënësve të shkollave, qytetarëve të Gjilanit, të cilët në 11.55 dolën në rrugë për të kërkuar flamur dhe në emër të tij për të kërkuar liri dhe të drejta për të gjithë. Ky është manifestimi kryesor në kuadër të 42 aktiviteteve që po i shënojmë për flamurin kuq e zi. Të gjithë ata që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm duke u bërë therror, në emër të qytetarëve të Gjilanit I falënderoj shumë dhe gjunjëzohem për këtë vepër të madhe edhe ndaj atyre që jaën gjallë”, ka nënvizuar Haziri.
Në këtë ngjarje, në ët cilën kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve kulturore, politike, bashkësive fetare e qytetarëve të rëndomtë, kanë folur edhe historianët, Fehmi Rexhepi e Aliriza Selmani, sikurse edhe Irfan Shaqiri, në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politik.
Në fund, kryetari i Gjilanit ka ndarë mirënjohje kolektive për brezin e vitit 1968.