Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në zbulimin e pikturës së restauruar me figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, që u bë në Katedralen e Zonjës Ndihmëtare në Komunën e Prizrenit.
Me këtë rast, Haradinaj tha se jo vetëm si kryeministër, por si shqiptar, krenaria e tij, memoria e tij, kthjellet dhe shkon në mijëvjeçar, duke vërtetuar se shqiptarët janë populli më i vjetër në kontinentin tonë me vlerat më të shquara dhe më të mira dhe që vërtet ata që ishim do të mbetemi në çdo kohë.
“Ne nderuam vetën dhe të gjithë ata me të cilët ndamë kontinentin tonë. Shprehë respekt për gjithë udhëheqësit fetarë, dhe po ashtu një aftësi të veçantë që ka shqiptari që kurrë mos të arrij askush të vendosë pengesa e barriera ose dallime. Shqiptarë kemi qenë, shqiptarë jemi e do mbetemi gjithnjë”, tha kryeministri Haradinaj.
Duke shprehur gëzimin që është bashkuar sot në 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kryeministri Haradinaj shtoi se janë bashkuar edhe me një porosi të një pikture që i dedikohet Skënderbeut nga një piktor i një populli tjetër dhe kësisoj vërtetohet se vlerat tona jo vetëm të historisë por edhe të artit do të mbijetojnë ndër vite.
“Për çdo shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu është heroi ynë, prijësi ynë, do të mbetet gjithnjë”, tha kryeministri Haradinaj.
Don Shan Zefi, kancelar i Kancelarisë së Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, falënderoi kryeministrin Haradinaj, duke thënë se pa ndihmën e qeverisë nuk do të ishin në këtë ditë solemne.
“Ky gëzim që na përshkon të gjithëve si një vit jubilar i 550 vjetorit të kalimit në amshim të atit të kombit bëhet edhe më i madh në mesin tonë, pasi që kompleksi i Kishës Katolike në Prizren ruan më dashuri dhe xhelozi të madhe pikturën e vlefshme tashmë të njohur për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Kjo katedrale ruan djepin e civilizimit dhe kulturës shqiptare”, tha kancelari Don Shan Zefi.
Një fjalë para të pranishmëve e kanë mbajtur edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili tha se restaurimi i kësaj pikture është dhurata më e mirë për qytetin e Prizrenit, si dhe përfaqësues të tjerë.
Të pranishëm në zbulimin e pikturës së restauruar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut ishin edhe klerikë fetarë, përfaqësues institucionalë, përfaqësues të KFOR-it dhe qytetarë të shumtë të Prizrenit.
Zbulimin e pikturës së restauruar të Skënderbeut e bënë kryeministri Ramush Haradinaj, kancelari Don Shan Zefi dhe Ipeshkvi Don Gjergji.