Ndotja e ajrit ka qenë në shkallën më të rrezikshme të shtunën mbrëma në Prishtinë.
Sipas matësit të Ambasadës amerikane, cilësia e ajrit atë ditë ka arritur deri në shkallën 432 dhe kjo konsiderohet tejet e pashëndetshme , raporton KTV.
Qytetarët thonë se e kanë shumë të vështirë qarkullimin këto ditë.
Ata kanë akuzuar institucionet relevante se nuk po ndërmarrin asgjë për parandalimin e ndotjes së ajrit.
Kohavisioni ka pyetur Ministrinë e Mjedisit për masat që duhet të merren në ditët kur ndotja e ajrit është alarmante, por ata kanë dërguar vetëm raportin mbi cilësinë e ajrit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës për 29 e 30 nëntor dhe ditën e parë të dhjetorit.
Sipas këtij raporti, më 1 dhjetor është shënuar ndotja më e madhe e ajrit.
Kryeqyteti, edhe vitin e kaluar, është përballur me ndotje alarmante të ajrit.
Ministria e Mjedisit ka krijuar task-forcën për trajtimin e problemeve me ndotjen e ajrit.