Me një sërë aktivitetesh, Komuna e Gjilanit ka shënuar sot ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara.
Organizuar nga shoqata “Handikos”, është mbajtur një program kulturor artistik ku kanë performuar personat me aftësi të kufizuara, për të vazhduar me tryezën e diskutimit, ku kanë marrë pjesë nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, kryesuesja Shpresa Kurteshi Emini, drejtori i DKA-së, Nazim Gagica, drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemaili, e përfaqësues nga KFOR’i turk.
“Si Komunë, në mënyrë të vazhdueshme i kemi qëndruar afër Handikosit për kërkesat e tyre dhe organizatave tjera që operojnë në këtë shtëpi. Po e them para jush zotimin e kryetarit Haziri se në vitin e ardhshëm do t’i rrisim subvencionet për këtë dhe shoqatat tjera për të operuar sa më suksesshëm dhe për t’ua lehtësuar punën”, ka thënë në tryezën e diskutimit nënkryetari Arbër Ismajli, njofton Komuna me ane te nje komunikate per media.
Menaxheri i shoqatës “Handikos”, Fatmir Shurdhani, ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin e mirë, ndërkaq ka kërkuar që të zbatohet ligji për personat me aftësi të kufizuara i cili është nxjerrë nga Kuvendi i Republikës.
Kryesuesja Shpresa Kurteshi Emini tha se Komuna e Gjilanit ka bërë edhe një hap tutje avancimin e të drejtave të kësaj kategorie, ku ka informuar se është në themelim e sipër Komiteti i Personave me Aftësi të Kufizuara, i cili do të shërbej si trup ndihmës i Kuvendit Komunal.
Një fjalë përshëndetëse në këtë takim pati edhe drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, duke uruar për këtë ditë të rëndësishme, ndërkaq së bashku me nënkryetarin Ismajli kanë shpërndarë dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara.