Misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX, ka dështuar në Kosovë, sikurse që ka dështuar edhe paraardhësi i tyre, UNMIK-u. Që të dyja misionet kishin për detyrë të krijonin rend e ligj sipas standardeve ndërkombëtare, dhe suksesshëm ia dolën ta bëjnë një shtet me drejtësi të brishtë, dhe i qëndruan besnik rritës së krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Shkruan: Ardian Azemi
Të dyja misionet nuk e njohën dhe vazhdojnë të mos e njohin realitetin në Kosovë, duke qenë neutral ndaj statusit politik të vendit tonë, dhe skajshmërisht të njëanshëm dhe eksperimentues mbi institucionet e Kosovës. Si rezultat i “profesionalizmit” të tyre, sot Kosova ballafaqohet me këto tema.
Në misionet ndërkombëtare në Kosovë kryesisht ka pas zyrëtarë të cilët në vendet e tyre kanë qenë totalisht njerëz të dështuar, dhe pa kredibilitet. Nuk di të operoj me kompjutër, ndërsa është udhëheqës i një sektori të rëndësishëm shtetëror përmes misionit evropian. Ndërkombëtarët kanë dërguar njerëz për të qenë gjyqtarë e prokurorë në Kosovë, të cilët në vendet e tyre ka shumë mundësi që kanë qenë përgjegjës për kope delesh, ndërsa në Kosovë kanë ndar drejtësi.
Dështimi në Kosovë në sektorin e drejtësisë, është i përbashkët dhe në koordinim të plotë mes ndërkombëtarëve dhe vendorëve. Përgjegjës për këtë gjendje të gjyqësorit janë të dy palët, sepse basgkërisht kontribuan në shkatërrimin e drejtësisë në vend. Lëre që nuk u luftua krimi i organizuar dhe korrupsioni, por si rezultat i kësaj lindi edhe një krijesë e re, Gjykata Speciale, e cila ndjek vetëm njërën palë, dmth viktimën, ndërsa pala tjetër, ata që bënë gjenocid, lëre që nuk ndjeken e ndihen komod, por edhe shpërblehen me hapje të kapitujve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
BE bashkë me vendorët, përgjatë tetëmbëdhjetë vjetve, kanë investua për këtë situatë. E kanë ditë saktë se do të përballemi me këto sfida, dhe jo krejt e rastësishme, sot na kërkohet me shënua performancë të mirë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tamam të nis Kosova të përballet me këto dukuri, del në sipërfaqe sfida tjetër; Gjykata Speciale!
Çdo proces me të cilin ballafaqohemi si shtet, është i menduar kohë të gjatë dhe i analizuar e projektuar aq mirë saqë ta sfidoj Kosovën në çdo përpjekje për tu dëshmuar si shtet serioz dhe i barabartë me shtetet tjera. Qëllimshëm nxjerrin situata që e deklasojnë Kosovën në rrugën e integrimeve dhe të sjelljes si shtet normal. Kohë të gjatë janë ndjek shqiptarët për kinse krime lufte, asnjëherë nuk janë gjetë fajtorë. Dhe, çka na qenka e nevojshme të merremi sërisht me këto ndjekje që jam fort i bindur se do të përfundojnë sikurse ato më herët..?!
Gjykata Speciale vjen si rezultat i dështimit të Kosovës për ta bërë vet një gjykatë vendore që do ti ndjekte të gjithë ata që pretendohet se kanë thyer rregullat e luftës, nga të dyja palët e përfshira në luftë, dhe si rezultat i dështimit edhe të dy misioneve ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK, dhe EULEX. Pra, Specialja është përpjekje për ti mbuluar dështimet tripalëshe përgjatë tetëmbëdhjetë vjetve.
Kosova do ta përballoj edhe këtë sfidë, edhe këtë padrejtësi në emër të drejtësisë ndëkombëtare. Nuk ka gjykatë që mund ta gjykoj një luftë çlirimtare, një popull që luftoi okupimin shekullor. Edhe kjo do të dështoi, nuk ka asnjë fakt që e thotë ndryshe. Të turpëruar do të mbesin të gjithë ata që fabrikuan akuza, ata që ndihmuan në këto akuza, dhe ata që i gëzohen ngritjes së këtyre akuzave. Për çlirimtarët ka të drejtë të flas veç historia, të tjerat janë muhabete koti dhe kryesisht me qëllime të caktuara.