Ky Memorandum i Mirëkuptimit është nënshkruar nga Drejtori i Arsimit z. Nazim Gagica dhe z. Daniele Passalacqua Këshilltar Kryesor i Projektit KSV/020 LuxDev “Mbështetje Reformës së Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) në Kosovë – Faza 2” me qëllim të përkrahjes Shkollës së Mesme Profesionale “Mehmet Isai” në Gjilan.
Ky projekt është financuar nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut nëpërmjet Luxembourg Aid & Development dhe implementohet nga Lux Development dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës.
Shuma totale e projektit është 5 milion euro, dhe aktivitetet e saj janë të shpërndara në tri rezultate kryesore të saj:
I. Ndryshimet në kornizën ligjore dhe strukturës qeverisëse të sektorit të AAP-së;
II. Avancimi i institucioneve të AAP-së, rritja e ndërlidhjes dhe cilësisë së kurrikulës së ofruar; dhe
III. Zhvillimi, përmirësimi dhe ndërlidhja e sistemeve të informacionit, duke përfshirë edhe ato të dedikuara për sektorin e udhëzimit në karrierë.
Aktivitetet kryesore që parashihen në përkrahje të shkollës “Mehmet Isai” nga Projekti KSV/020 janë:
• Zhvillimi i kualifikimeve të reja në Shkollë Profesionale Teknike për disa profile teknike, duke përfshirë Standardet e profesionit, kurrikulat e bazuara në kompetenca dhe materialet mësimore;
• Ofrimi i pajisjeve teknike të kufizuara për menaxhimin e shkollës dhe realizimin e aftësimit praktik dhe aktiviteteve që ndërlidhen me profilet e mbështetura që zhvillohen në shkollë profesionale;
• Asistencë financiare dhe teknike për përzgjedhjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të stafit të mësimdhënësve dhe atij administrativ dhe themelimi i një ekipi drejtues kompetent, etj.;
• Mbledhja e informatave mbi tregun e punës dhe zhvillimi i anketave të ndryshme;
• Të gjitha proceset që kanë të bëjnë me zhvillimin, validimin dhe akreditimin e standardeve të profesionit dhe kualifikimeve;
• Zhvillimi i një modeli të qëndrueshëm afat-mesëm dhe afat-gjatë të biznesit;
• Zhvillimi i bashkëpunimit me industrinë, shërbimeve për këshillim në karrierë, aktiviteteve të bashkë-krijimit dhe zhvillimi i aktiviteteve, kapaciteteve dhe kompetencave të njësisë për ofrimin e shërbimeve;
• Zhvillimi i një strategjie dhe plani të qëndrueshëm financiar.
Gagica, në emër të Kryetarit të Komunës z. Lutfi Haziri ka faleminderuar Qeverinë e Luksemburgut për mbështetje në Reformën e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Komunën e Gjilanit!