Kryetari i Komunës Lutfi Haziri, në kuadër të vizitave për fundvit, sot ka qëndruar në fshatin më perëndimor të Gjilanit në Verbicën e Zhegocit, me ç’rast ka qëndruar në shkollën e mesme të ulët “Fetah Qerimi”, në Mjekësinë Familjare dhe zyrën e gjendjes civile, nga ku ka konfirmuar mbështetjen maksimale dhe investim në të gjitha fushat në këtë fshat.
“Në kuadër të festave të fundvitit sot në fshatin Verbicë e Zhegocit jam me qëllim të vizitës në shkollën e fshatit të cilëve u kam bartur mesazhin e konfirmimit për investime të fuqishme në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë publike, konkretisht asfaltimin e rrugës së fshatit e cila njëkohësisht e lidh Gjilanin dhe Lipjanin, që do të realizohet në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës. Kjo shkollë dhe shërbimet që ofron Komuna e Gjilanit përmes shëndetësisë dhe shërbimit të gjendjes civile dhe me vendosmërinë e banorëve, po bëhet e mundur që të ruhet popullsia dhe të mos ketë shpërngulje të banorëve”, ka thënë ai.
“Kjo është zona më ekologjike e komunës sonë dhe investimet do të jenë në të gjitha fushat që nga shkolla, ambulanta, shujtat ditore për nxënës përfshirë këtu edhe bujqësinë dhe blegtorinë, sepse banorët këtu janë një komunitet që është i përkushtuar për punë”, ka përfunduar kryetari Haziri.
Ndërsa drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka konfirmuar se kjo shkollë do të trajtohet me prioritet gjatë gjithë vitit 2019, duke përfshirë edhe hapësirat e brendshme të shkollës, por edhe hapësirën rekreative dhe sportive.
Ndërsa drejtori i shkollës, Rahip Nuhiu dhe doktori i kujdestar i ambullantës, Naim Kamberi, kanë thënë se ky fshat është stabil megjithëse sipas tyre investimet do të ndikojnë pozitivisht për kushtet më të mirë për banorën dhe investimin privat në zhvillim të turizmit në të cilin ekzistojnë të gjitha parakushtet.
Ndryshe, në kuadër të vizitës, kryetari Haziri ka bërë edhe shpërndarjen e dhuratave simbolike për nxënësit e kësaj shkolle.
Kjo shkollë ka gjithsej 105 nxënës të cilët kanë suksese të lakmueshme në këtë fshat kodrinoro-malor.