Një njoftim që medieve i është dërguar në emër të familjes së policit të vrarë, Izet Demaj, bën thirrje që të ndalet mbledhja e fondeve në emër të kësaj familje.
Familja e atij që po konsiderohet hero për veprimin e tij në Istog, ka falënderuar njëkohësisht ata që deri tani kanë kontribuuar me mjete financiare për ta. Por kanë thënë se tashmë janë nën përkujdesje të shtetit, dhe iniciativat për ndihmë financiare mund të bëhen vetëm me pëlqim paraprak të familjes.
“Familja e policit të vrarë në detyrë, Izet Demaj, duke i konsideruar qëllimmirë dhe duke qenë mirënjohëse dhe falënderuese, ndaj bizneseve dhe personave që kanë kontribuar, në emër të bashkëshortes së Izetit, vëllezërve dhe familjes së ngushtë, kërkojmë nga dy kompanitë komunikuese, Ipko dhe Vala, të ndërpresin aksionet për grumbullimin e mjeteve financiare”, thuhet në njoftim.
“Familja e Izet Demaj është nën përkujdesjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, andaj prej këtij momenti çdo iniciativë për ndihmë financiare nuk mund të bëhet pa pëlqimin e familjes së Izet Demajt. Familja Demaj shpreh edhe një herë mirënjohje dhe falënderim për të gjithë”, thuhet më tej në njoftim.
Izet Demaj u vra nga Kamer Metaj, që kishte hyrë për të plaçkitur në një bankë me kallashnikov, bombë e revole. Ai kishte marrë edhe pengje, e Demaj iu përgjigj thirrjes për të kthyer rendin, kur u qëllua me plumba. Demaj u varros me nderime të larta.