Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka pritur në zyret e partisë së tij, të parin e Kuvendit Komunal të Preshevës, Sami Salihun.
Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka shkruar se në këtë takim ai së bashku me deputetin Liburn Aliu janë njoftuar me gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai ka thënë se VV mbështet qëndrimin e Aliut se në delegacionin shtetëror për dialogun të ketë edhe përfaqësues nga Presheva.
Ky është postimi i Kurtit:
Në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bashkë me deputetin Liburn Aliu, patëm rastin të presim Kryetarin e Kuvendit Komunal të Preshevës, z. Sami Saihu dhe sekretarin e këtij Kuvendi, z. Avni Aliti.
Nga z. Salihu, u informuam për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës si dhe shqetësimet e tyre, tani para rifillimit të negociatave me Serbinë.
U pajtuam që çfarëdo rifillimi i negociatave me Serbinë, mund të jetë i rrezikshëm nëse nuk bazohet mbi marrëdhënie reciprociteti. Miratimi i Rezolutës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku nuk përmenden fare të drejtat e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, reciprociteti me Serbinë si dhe mospërfshirja e asnjë përfaqësuesi nga këto tre komuna shqiptare nën Serbi në delegacion të bisedimeve, na bëjnë të brengosemi për përsëritjen e gabimeve të deritanishme dhe lënien e sërishme në harresë të këtyre qytetarëve shqiptarë.
Ne mbështesim, qëndrimin e z. Salihu që në përbërje të delegacionit të Kosovës të ketë edhe përfaqësues të qytetarëve të Luginës së Preshevës, që bisedimet të bëhen mbi baza të reciprocitetit dhe ku shtrohet çëshja e të drejtave të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke pasë parasysh Deklaratën e vitit 2006 të përfaqësuesve të Kuvendeve Komunale të të tre komunave si dhe referendumin e vitit 1992.