Emblema e Forcës së Sigurisë së Kosovës, po del të jetë identike me logon e një kompanie private të sigurisë në Amerikë.
Logon ushtarake, përfshirë edhe stemat e tjera specifike për njësitet, Forcës së Sigurisë së Kosovës ia ka bërë kompania INIT, pronar i së cilës është Albian Gagica. Gagica, më herët ka treguar se Simbolet e emblemës së FSK-së, i ka dizajnuar në vitin 2009.
Ndërkaq, te faqja zyrtare e kompanisë amerikane, e cila funksionon nga viti 2003, nuk dihet kur është dizajnuar logo.
Kompania amerikane, që logon e ka si të FSK-së, është në pronësi të Antony Kavidel. Aty thuhet se është me mbi 15 vjet përvojë pune e sigurie, që mbron një sërë biznesesh, banesash dhe ngjarjesh.
Koha.net ka provuar të kontaktojë Albian Gagicën por nuk ka arritur të marrë përgjigje.
Përmes një testimi në Google, nëse kërkon me fotografi të këtij dizajni, më parë shfaqet logoja e FSK-së sesa e kësaj kompanie. Ndërkaq, nëse kërkon me foto të kësaj kompanie, përsëri del logoja e FSK-së.