Kryetrajneri i FC Dritës Shpëtim Duro është shprehur i qartë sa i përket rikonstruktimit të skuadrës për pjesën pranverore të kampionatit.
Tekniku 59 vjeçar nga Tirana thekson se bardhekaltërit mund të lëvizin në tregun e transferimeve vetëm nëse gjejnë ndonjë futbollist që bënë diferencën.
“Është e vështirë të gjesh në këtë afat kalimtar një futbollist që bën diferencën. Do jetë pak a shumë ajo skuadër të cilën e keni parë në stinorin vjeshtor të kampionatit. Ndoshta edhe pritet të ketë ndonjë ndryshim, por në varësi të lojtarëve që mund të bëjnë diferencën”, deklaroi Duro për RTV Dukagjinin.
Objektivi i skuadrës gjilanase mbetet Kupa e Kosovës pasi që gjasat për të mbrojtur titullin kampion tashmë janë shuar.
“Pasi që në kampionat jemi distancuar, i vetmi objektiv për të shkuar në Evropë na mbetet Kupa. Nuk do të jetë e lehtë dhe ne këtë e dijmë shumë mirë, por ne do të përqendrohemi në këtë objektiv”, potencoi Duro.
Gjithashtu tekniku i gjilanasve foli edhe për fazën përgatitore që kampionët në fuqi do ta zhvillojnë në Antalia të Turqisë.
“Do jemi në periudhë 12 ditore në Turqi, kemi programuar tri ndeshje miqësore. Akoma nuk i kemi të përcaktuar kundërshtarët, por është e sigurt që tashmë do ti kemi tri ndeshje miqësore me tri skuadra të ndryshme”, mbylli Duro.
Drita stinorin pranveror të kampionatit do ta nis në ndeshjen e çerekfinales së DigitAlb Kupës së Kosovës ndaj Vëllaznimit.