Serbia është kritikuar për dënimin me 55 ditë burg të tre shqiptarëve që shkruan inicialet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në makinat e mbuluara me dëborë.
Aktivistë të të drejtave të njeriut kanë kritikuar si të tepërt dënimin me 55 ditë burg të dhënë për tre shqiptarë etnikë nga një gjykatë e Beogradit për vizatimin e inicialeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në dëborë mbi disa automjete në kryeqytetin serb.
Të tre shqiptarët, një nga Kosova dhe dy nga Beogradi, raportohet se vizatuan inicialet e UÇK-së në makinat e mbuluara me borë gjatë natës midis 6 dhe 7 janarit, mbrëmja e Krishtlindjes ortodokse.
Kryetari i Gjykatës për Kundërvajtjet, Milan Marinoviq, tha të martën se burrat u dënuan secili me nga 30 ditë burg për “sjellje të pasjellshme dhe të pahijshme”, 20 për “lypje”, dhe 5 ditë të tjera se nuk qenë në gjendje të paguanin një gjobë prej 5,000 dinarësh (42 euro) për mos pasjen e dokumenteve të identitetit me vete.
Por Milena Vasiq nga Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, YUCOM, vuri në dukje se shkrimi i akronimit për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk është as krim dhe as kundërvajtje.
“Nëse gjykata e konsideron këtë si një sjellje që mund të shqetësojë publikun, atëherë ndëshkimi është shumë i ashpër,” tha Vasiç për BIRN, edhe pse ajo shtoi se ishte e vështirë të krijohej një opinion pa parë vendimin.
Ajo tha se rasti tregon standarde të dyfishta, pasi ka pasur raste kur autoritetet nuk kanë hetuar plotësisht vizatimin e simboleve naziste, edhe pse kjo është e paligjshme sipas ligjit serb, shkruan Birn.
Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli e quajti vendimin e gjykatës serbe “skandaloz” dhe i bëri thirrje “institucioneve dhe mekanizmave ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut” që ta dënojnë atë.
“Në një shoqëri demokratike askush nuk dënohet se ka një mendim ndryshe. Është thuajse e pabesueshme se si regjimi jo demokratik në Serbi ngjall frikë dhe urrejtje ndaj gjithçkaje shqiptare dhe nga Kosova,” shkroi Pacolli në faqen e tij në Facebook.