Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka kujtuar Nuhi Berishën e Rexhep Malën me rastin e shënimit të 35 vjetorit të vrasjes së tyre.
“Një agim i përgjakur ishte ai i 35 viteve më parë, në Prishtinën e 12 janarit 1984. Pas një rezistence të armatosur që zgjati një natë të tërë, u vranë prej pushtuesve serbë Rexhep Mala, asokohe 33 vjeçar, nga Hogoshti i Dardanës, dhe Nuhi Berisha, 23 vjeçar nga fshati Svircë i Dardanës. Dy dëshmorët u vranë në lagjen e cila më pas për nder të tyre u quajt Kodra e Trimave. Dëshmitarët, të cilët janë ende gjallë, tregojnë se përgjatë rrethimit, në shkëmbim të vazhdueshëm të plumbave, dy dëshmorët tanë vazhdimisht kanë kënduar këngë patriotike”, shkroi Kurti, përcjell KosovaPress.
I pari i VV-së ka vazhduar ta përshkruajë veprën heroike të dy dëshmorëve.
“Në atë natë të errët të shtypjes mizore, banorët e Kodrës së Trimave e panë të parët dritën e Flakës së Janarit, dritë e trimërisë, dritë e plumbave, dritë e këngës, drita e gjakut të pastër të dëshmorëve të rënë për idealin e çlirimit e bashkimit kombëtar. Rexhep Mala e Nuhi Berisha, njëri mësues e tjetri student, ishin të patrembur. Rexhepi, si më i vjetër, kishte mbajtur edhe 9 vite burg, i arrestuar në 1974 bashkë me grupin e Adem Demaçit. Prej tij na ka mbetur ditari i burgut. Ndërsa Nuhiu, edhe pse shumë i ri, kishte tashmë përvojë revolucionare me pjesëmarrjen në demonstratat e 1981, që në moshën 20 vjeçare”, ka shkruar ai.
Kurti në fund ka thënë se në 35 vjetorin e rënies së dy dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha “duhet t’ia përkujtojmë vetes misionin tonë historik, idealin tonë kombëtar, që e marrim prej dëshmorëve. Rruga jonë është rruga e tyre. Dhe veç në respekt të dëshmorëve përkulemi”.