Grevës së përgjithshme, e cila filloi sot, iu janë përgjigjur të gjitha institucionet arsimore që nga çerdhet e deri në universitete.
Në grevën e përgjithshme ishin edhe ato pak institucione që deri tani nuk ishin pjesë e SBASHK-ut dhe madje ato edhe u anëtarësuan në SBASHK, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.
Në bazë të raporteve që ka grumbulluar Këshilli Grevist Qendror i SBASHK-ut nga Këshillat Greviste Komunale dhe i Universiteteve, shihet se i tërë sistemi arsimor i Kosovës ishte në grevë.
Këshilli Grevist Qendror i përgëzon punëtorët e arsimit që nga çerdhet e deri edhe në universitete për unitetin e treguar gjatë ditës se sotme, dhe i fton që këtë unitet ta ruajnë edhe në ditët në vijim deri në realizimin e kërkesave për ngritje pagash.
Ndryshe, greva nesër do të mbahet në të njëjtin orar sikurse sot, duke filluar nga ora 9.00 deri në ora 12.00.