Mbrëm në mediet kosovare kanë qarkulluar disa video të një njeriu të moshuar i cili qëndronte në korridorin e Klinikës Emergjente në Prishtinë.
Qytetarët që ishin aty thanë se ai ka qëndruar aty me orë të tëra i sëmurë dhe nuk iu është dhënë ndihmë mjekësore.
Pas këtyre shkrimeve ka reaguar Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, ku thonë se mjekët kujdestarë e kanë kontrolluar disa herë brenda kohës sa ka qëndruar në spital.
“Mjekët kujdestarë në Klinikën Emergjente me datë 16.01.2019, në bazë të raporteve mjekësore dëshmojnë për trajtimin e pacientit me inicialet A.H.”.
“ I njëjti është pranuar, diagnostifikuar dhe në të njëjtën kohë janë konsultuar shërbimet subspecialistike”, shkruhet në komunikatën e dërguar nga Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së.
Pacienti thuhet se është sjellë me autoambulancë nga Mitrovica, për në Klinikën Emergjente në Prishtinë.
“Pacienti ka qëndruar në Klinikën Emergjente edhe për një kohë pas trajtimit për shkak se është pritur që të vijë ndonjë i afërm ta marrë”.
“Kjo nuk është hera e parë që pacienti A.H. merr ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Në muajin tetor të vitit 2018, i njëjti është shtrirë për disa ditë edhe në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK ku ka marrë të gjithë trajtimin e nevojshëm mjekësor”, shkruhet më tej në komunikatën e dërguar Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së.
Nga kjo zyrë thonë se të gjitha këto dëshmi të mjekëve i vërtetojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë, njofton Klan Kosova.