Ambasada e Amerikës në Prishtinë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës pezullimin e menjëhershëm të taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, siç është thënë, për ta rimëkëmbur momentumin në procesin e dialogut. Për më tepër, kjo Ambasadë ka paralajmëruar se asnjë shtet nuk mund të marrë vendime kundër interesave strategjike të SHBA-së pa u ballafaquar me pasoja. Por, ministri Endrit Shala ka thënë për “Zërin” se tarifa 100 për qind nuk do të hiqet, shkruan Gazeta “Zëri”.
Teksa ka folur rreth paralajmërimit të SHBA-së se mund të ketë cenim të raporteve nëse nuk hiqet taksa, deputeti i LDK-së Naser Rugova ka thënë se çdo veprim i Qeverisë i cili do të çonte drejt një skenari të tillë është i pafalshëm për LDK-në. “Çdo tendencë që të rrezikohet partneriteti me SHBA-në, vendin më strategjik, aleatin më të fuqishëm dhe partnerin tonë më të madh, çdo tendencë që t’i rrezikojë ose acarojë marrëdhëniet me SHBA-në është e pafalshme dhe e papranueshme për Lidhjen Demokratike të Kosovës, por edhe për popullin e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se
kërkesa e fundit e SHBA-së për heqjen e taksës paraqet paralajmërimin më të ashpër të ardhur deri më tash në këtë drejtim. “Direkt po thuhet se nëse taksa vazhdon të mbetet, atëherë marrëdhëniet bilaterale me SHBA-në nuk do të jenë të njëjta. Pra, po tregon që këto marrëdhënie mund të dëmtohen si shkak që Qeveria po refuzon ta heqë taksën”, ka theksuar ajo, shkruan Gazeta “Zëri”.
Ndaj Haxholli ka konsideruar se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë masa sa më parë që ta pezullojë taksën ose të gjejë një zgjidhje e cila është e pranueshme edhe për SHBA-në. “Mendoj që ky paralajmërim dhe kjo komunikatë e sotme duhet të merret shumë seriozisht nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga akterët e tjerë politikë dhe jopolitikë. Është një moment për të reflektuar se si duhet t’i qasemi tash e tutje dialogut me Serbinë, por edhe se si Qeveria duhet t’i qaset taksës së vendosur”, ka potencuar ajo.
Edhe nëse nuk ka një vendim për heqje të menjëhershme të taksës, sipas Haxhollit duhet të ketë një vendim për pezullim të përkohshëm të tarifës. Në këtë mënyrë sipas saj edhe do t’i jepej një shans dialogut, por edhe nuk do të dëmtoheshin raportet Kosovë – SHBA.