Policia e Kosovës me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve, në vazhdimësi është duke ndërmarr aktivitete dhe masa në zbatim të ligjeve të fushës së trafikut rrugor.
Kjo është thënë në një komunikatë dërguar mediave nga Policia e Kosovës.
Referuar gjendjes së sigurisë në trafikun rrugor si dhe kushteve atmosferike gjatë kësaj periudhe kohore, sot me datë 31.01.2019 zyrtarët policor përveç kryerjes së detyrave të rregullta në kontroll dhe mbikëqyrje të trafikut, kanë përcjellë mesazhin sensibilizues tek pjesëmarrësit në trafik përmes shpërndarjes së broshurave “EJA TI JO LAJMI PËR TY!”, “PËR NJË VIT MË TË SIGURT NË TRAFIK”, si dhe “PËRQENDROHU NË NGASJE”, që të kenë kujdes më të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve në trafik.
Policia e Kosovës vazhdon të kërkojë dhe njëherit të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor, në veçanti tek drejtuesit e automjeteve që t’iu përmbahen dispozitave ligjore, të rritet vigjilenca, të shtohet kujdesi në respektimin e rregullave që dalin nga ligjet e trafikut, për të garantuar një siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në rrugë, me qëllim të shmangies së aksidenteve rrugore në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale.
Sidomos tani kur të reshurat atmosferike ndikojnë në zvogëlimin e dukshmërisë në rrugë, ku në disa akse rrugore mund të paraqiten vështirësi në qarkullimin sidomos në orët e vona dhe ato të hershme ku mund të paraqiten edhe ngrica.
“Policia e Kosovës, edhe pse nuk ka qëllim primar ndëshkimin, për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që bien ndesh me ligjet e trafikut do të vazhdojë të aplikojë masa ligjore”, thuhet në komunikatë.