Tronditje
Sot me rrëfimin tragjik të 16 vjeçares jemi të gjithë në dhembje kombëtare e qytetare. Denoncimi, si apel i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës, si thirrje bashkëpunimi në mes qytetarëve dhe policisë, si vlerë e lartë civilizuese e demokratike, u thye keq dhe me pasoja afatgjate në shumë drejtime.
Vajza e mitur, denoncoi abuzimin e mësimdhënësit, aty ku do të gjente mbrojtje, dhe në vend se denoncimi të bëhej model i qytetarisë dhe mbrojtje për viktimën e ndëshkim për abuzuesin, e mitura iu nënshtrua një hetuesi po ashtu abuzues, edhe më të rëndë. Ky rast e dëmton rëndë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve arsimore e policore, por edhe dëmton një nga vlerat më humane: respektimin e të drejtave, integritetit dhe dinjitetit të njeriut. I bëj apel drejtësisë, që fajtorët të marrin dënimin meritor; viktima të trajtohet tash e tutje me përkrahje maksimale nga shteti, duke i ofruar ndihmën për gjithçka dhe duke e trajtuar si “denoncuese heroinë”. E mitura u abuzua nga punonjës të shtetit dhe drejtësia duhet të vihet në vend deri në maksimum. Shteti duhet t’i jap drejtësi të plotë dhe të menjëhershme këtij rasti tragjik. Bëj apel kudo që denoncimet heroike që i bëri e mitura, të vazhdojnë, si dhe keqbërësit të jenë në burg pa asnjë dhembje!