Në prag të zgjedhjeve të reja për Parlamentin evropian, znj. Frederica Mogherini, po kërkon me ngulm që të hiqet taksa e vënë nga ana Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve serbe!
Për çudi, gjatë 4 viteve qëkur ajo udhëheq me politikën e jashtme të BE-së, si dhe me ndërmjetësimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, në asnjë rast më përpara nuk ka qenë kaq e zëshme sikur në këta muajt e fundit.!
Ky diskurs i politikës së zonjës Mogherini, nuk besoj se është në frymën e politikës së mirëfilltë evropiane, të paktën jo e aktorëve kryesorë që udhëheqin me Unionin dhe Parlamentin evropian!
Të vetmit janë kosovarët në rajonin e Ballkanit perëndimorë që vazhdojnë të mbahen të izoluar, përkundër premtimeve të saja të shumta për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, e të mos flasim pastaj për çështjet tjera të folura dhe të përfolura deri më tash, meqenëse Kosova nuk dallon asgjë nga vendet tjera të rajonit që të trajtohet me kaq neglizhencë.
Përkundrazi, ajo ka dëshmuar një tolerancë mbase të tepruar, sidomos kur bëhet fjalë ndaj zonjës së lartpërmendur si dhe kolegun e saj, komisionerin z. Johannes Hahn.
Zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian do të mbahen nga 23 deri më 26 Maj 2019, pas të cilave shpresojmë se do fillojë një erë e re në politikën e jashtme të BE-së!
Një gjë është më se e sigurt, se Kosova nuk e ka merituar këtë injorim që i është bërë viteve të fundit nga ata të cilët përmes krizave të simuluara e dëshirojnë vetëm një gjë:
Ta ruajnë primatin e tyre politik, në një kohë kur qytetarët e Kosovës ende i kanë të freskëta plagët për të vrarët dhe të masakruarit, kur ende nuk janë gjetur dhe kthyer në familjet e tyre të gjithë të zhdukurit, dhe kur ende nuk është dënuar asnjë kriminelë për këto krime monstruoze!?
Kosova nuk guxon të mbetet në pafundësi në pozitën e viktimës, viktimizim të cilin po e thellojnë prijësit e saj të papërgjegjshëm. Kosova duhet ta ngritë zërin e arsyes për të drejtat sovrane dhe legjitime të saj në kuadër të BE-së, si dhe kundër secilit që e pengon zhvillimin e mëtejmë të saj në rrugën drejtë UE-së dhe integrimit në shoqëritë e shteteve demokratike, qofshin ata edhe të dërguarit e lartpërmendur!
Hafiz Gagica
Stuttgart-Prishtinë, 07. 02. 2019