Deputetja e LDK-së, Lirije Kajtazi, ka thënë se dëshirojnë që rekomandimet e Kuvendit të Kosovës për dhunën ndaj femrave të mos mbesin vetëm në letër.
Kajtazi në RTV Dukagjini ka thënë se pas rastit të përdhunimit në Drenas dikush duhet të japë përgjegjësi, që rasti të mos mbetet i izoluar.
Zëvendëskryetarja e parë nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në Kuvendin e Kosovës ka thënë se në bazë të hulumtimeve të bëra rreth 40 % e të punësuarave në sektorin publik kanë përjetuar ngacmime të ndryshme.
“Ato janë ngacmuar nga zyrtarët që kanë marrë detyra. Ndërsa të pyetura, nëse ndihen të sigurta në këtë sektor, 80% e të punësuarave në këtë sektor kanë thënë se ndihen të sigurta”, tha Kajtazi, përcjell Telegrafi.
Deputetja e LDK-së ka thënë se kur janë dërguar në komisione të Kuvendit shqetësime të ndryshme ka pasur edhe tallje nga kolegët.
“Në Komision janë tallur duke na thënë, mos ju ka sjellë juve lejleku”, tha Kajtazi.