Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në një konferencë për media, ka deklaruar të premten se kjo komunë do ta shënojë 11-vjetorin e Pavarësisë me një varg aktivitetesh.
“Jemi të lumtur që këto festa do t’i shënojmë me qytetarët tanë dhe këtë vit Gjilani shënon një numër të madh të aktiviteteve për nder të 11 vjetorit të Pavarësisë, kryesisht nëpër shkolla fillore dhe të mesme. I ftoj qytetarët që të na bashkangjiten në shënimin e shpalljes së deklaratës së Pavarësisë”, ka thënë Haziri.
Duke folur për investimet kapitale, i pari i Gjilanit ka theksuar se kjo komunë po hyn në një plan ambicioz të investimeve kapitale në shumën prej 42 milionë euro.
“Bëhet fjalë për projekte të mëdha që po pritet të fillojnë këtë vit me financim të BERZH, qeverisë të ndryshme të botës, Qeverisë së Kosovës dhe buxhetit vetanak, ku kemi realizim të të hyrave komunale prej 96 për qind dhe 102 për qind në sektorin e tatimit në pronë, që i bie grumbullim rekord”, tha Haziri.
Kreu i Gjilanit ka theksuar se do të punoj me gjitha partitë politike, shoqërinë civile dhe grupet e interesit për realizimin e këtij plani ambicioz.
“Do të punoj me gjitha partitë politike, shoqërinë civile, grupet e interesit etj., për realizimin e këtij plani ambicioz, sepse 2019-ta ka me qenë vit i Gjilanit. Impianti për trajtimin e ujërave të zeza tashmë është i konfirmuar dhe i pasqyruar në buxhet, sikurse edhe ndërtimi i hyrje-daljeve, Gjilan-Prishtinë e Gjilan-Kllokot, ndërtimi i infrastrukturës në shkolla etj. Këto investime bëjnë që Komuna të mbetet punëdhënësi më i madh, por jemi të lumtur që taksat e qytetarëve po i kthejmë në investime”, ka thënë Haziri.