Vetëm për muajin janar të këtij vitit janë ngritur çmimet e konsumit për 0.9 përqind krahasuar me muajin paraprak dhjetor të vitit të kaluar.
Në raportin e Agjencisë së Statistikave, thuhet se ngritje të çmimit kanë pësuar tek artikujt: bukë dhe drithëra 2.1 përqind, pemët 1.9 përqind, perimet 15.7 përqind, duhani 1.6 përqind, blerja e automjeteve 1.2 përqind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.9 për qind në IHÇK.
Ndërsa, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.4% në janar 2019.
“Shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2019 me muajin janar 2018 ishte 3.1%. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë për 3.1% në muajin janar 2019, krahasuar me muajin janar 2018. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet: bukë dhe drithëra 10.0%, mish 4.3%, qumësht, djath dhe vezë 5.8%, perime 27.2%, pije alkoolike 3.9%, duhan 3.5%, përdorim i pajisjeve për transportin personal 5.1%, ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës, shërbimet hoteliere 1.7%, kujdes personal 2.3%, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3.4 për qind në IHÇK”, thuhet në komunikatën e ASK-së.
Ndërkaq, ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet: pemë -11.8%; veshje -2.5%, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.3) për qind në IHÇK.