Organizata kulturore “Varg e VI” është organizata më e madhe e pavarur kulturore në Rajonin e Anamoravës dhe qysh prej themelimit të saj në vitin 2011, përmes aftësive në punë ekipore dhe vullnetare, ka arritur të sjellë artistë bashkëkohorë ndërkombëtarë e kombëtarë në Gjilan, duke organizuar ekspo-performansa, debate mbi artin, avokim kulturor, partneritet ndërkombëtar dhe prezantim të artit bashkëkohor në Evropë, përkatësisht në Zvicër, Francë, Holandë etj.
Varg e Vi me projektin e radhës “G performance”, në kuadër të projektit “GRAS – GrassRoots Action Support” i implementuar nga IKS, Lens dhe FES dhe financuar nga Bashkimi Evropian dhe menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, po e rikthen një të kaluar të largët e të afërt të qytetit të Gjilanit, kujtesën kolektive urbane dhe vënien e instalacioneve artistike nga artistët Din Azizi dhe Kushtrim Sylejmani.
Pas premierës më 10 shkurt, më 24 shkurt (e diel, ora 16.30) të këtij viti, do ta sjellin reprizën për publikun gjilanas e më gjerë. Për shkak të numrit të kufizuar të kufjve “wireless”, gjithmonë do të ketë numër të kufizuar prej 30 vetash si audiencë, me konfirmim paraprak të pjesëmarrësve.
“Varg e Vi” me “G performance” në konceptin e vet, thotë se “nuk e synojnë zgjidhjen e mëdyshjes me G a me Gj, por është këtu për të parashtruar dilema të vjetra dhe për të krijuar dilema të reja.”
“Identitetet tona formohen e zhvillohen nëpërmjet qartësive dhe paqartësive, rrjedhimisht jo vetëm duke kujtuar gjërat e së shkuarës, por sa herë i sjellim në kujtesë ato që kanë ndodhur, ne i japim atyre një interpretim të ri: edhe i riprodhojmë, edhe shtojmë diçka nga vetja jonë. Tek e fundit, jemi këtu për ta reduktuar dhembjen dhe për ta maksimizuar kënaqësinë” – vazhdon organizata në konceptin e saj të ngjarjes.
Gjatë performancës, audienca nëpërmjet kufjeve “wireless”, e dëgjojnë një rrëfim (audiodokumentar) mbi trashëgiminë kulturore dhe jetën sociale në Gjilan. Ecja e publikut bëhet nga Sahat Kulla, nëpër Parkun e Qytetit, e deri te Sheshi i Ri në qendër të qytetit (afër ish-Urës së Maskatarit).
Projekti “G performance” është realizuar nga “Varg e Vi”, ndërsa audiodokumentari është qëndisur nga Avni Rudaku, me burime nga literatura e gjerë për Gjilanin e Kosovën, si dhe disa rrëfime të ca gjilanasve. Narrator është Ridvan Hamza, bashkë me disa zëra të tjerë ndërhyrës si: A. Shkodra, Liza Gashi dhe A. Rudaku. Audiodokumentari është regjistruar dhe realizuar nga Studio e Valdrin Halimit, “THC records”. Dizajni është realizuar nga Florent Buca & Jeton Muja; Instalimet e maskave nga organizatori dhe me fotografi të ngjarjes (premierë) nga Shaip Kçiku. Dhe në fund, koncepti i projektit ishte nga Avni Shkodra.
“VARG E VI” I JEP PAMJE DHE ZË TJETËR GJILANIT ME “G PERFORMANCE”
Ndani këtë artikull