Gripi sezonal dhe ai A H1N1, i cili në vend njihet edhe si gripi i derrave, po vazhdojnë të jenë të përhapura në vend. Statistikat e fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë tregojnë se deri më tani 6 persona kanë vdekur prej gripit, ku 4 prej tyre kanë qenë të prekur me gripin A H1N1. Drejtorë të spitaleve regjionale në vend kanë thënë për gazetën se kohëve të fundit është shtuar numri i pacientëve me grip, të cilët kanë kërkuar trajtim nëpër spitale.
Gjashtë pacientë të prekur me grip në Kosovë, 4 prej tyre nga ai A H1N1 dhe dy me influencën A (Virus, shkaktari më i shpeshtë i gripit), kanë vdekur që nga data 1 tetor e vitit të kaluar e deri më tani, derisa mijëra persona të tjerë po vazhdojnë të jenë të prekur me grip, konkretisht me atë sezonal.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në Kosovë ka bërë të ditur se për më pak se 5 muaj janë raportuar mbi 26 mijë raste të dyshimta me grip, si dhe mbi 4 mijë raste me infeksione, shkruan Zeri.
“Nga 1 tetori në Institutin Kombëtar janë raportuar gjithsej 26.822 raste të dyshimta në grip, 4.434 raste me infeksion respirator akut dhe 34 raste me infeksion të rëndë respirator akut. Në laboratorët e qendrës kombëtare të gripit – IKSHPK deri më 15 shkurt 2019 janë testuar gjithsej 480 mostra të dyshimta në grip, prej tyre 141 raste rezultojnë pozitive në Influencën Tip A. Pra në qarkullim gjendet virusi i Gripit A, prej të cilave 62 mostra rezultojnë pozitive në AH1pdm09”, kanë bërë të ditur zyrtarë nga ky institut ditë më parë.