Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit H.K., i cili gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 11 shkurt 2019, për shkak që i njëjti përmes kërcënimit i ka grabitur veturën të dëmtuarit SH.A.
Sipas aktakuzës, më 11 shkurt 2019, në Gjilan, i pandehuri H.K., me përdorimin e forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar personin tjetër, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme në mënyrë të kundërligjshme, me dashje dhe përgatitje paraprake, përmes kërcënimit dhe dhunës fizike, ka grabitur automjetin e të dëmtuarit SH.A. dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Në këtë mënyrë, Prokuroria thotë se i pandehuri ka kryer veprat penale “Grabitje” dhe “Kanosje”.
Prokuroria, me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka propozuar që i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale, të cilat i vihen në barrë dhe të dënohet sipas ligjit.