Në shkollën fillore “Agim Ramadani” në Zhegër të Gjilanit, është hapur ekspozita personale e Elza Zymberit, nxënëse e klasës së nëntë të kësaj shkolle. Mbi 80 punime të ndryshme të ekspozuara në këtë ekspozitë, të bëra nga dora e kësaj filloristeje të talentuar kanë zgjuar kureshtjen e dashamirëve të artit, të cilët kanë vlerësuar, se nëse kjo nxënëse orientohet në këtë fushë, në shkollimin e mëtutjeshëm, Zhegra e Gjilanit do ta ketë edhe një artiste të talentuar në fushën e pikturës, transmeton 2LONLINE.
I pranishëm në këtë ekspozitë, ishte edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), në Gjilan, Nazim Gagica i cila ka thënë se ndihet i kënaqur që po merr pjesë në një ekspozitë të tillë të një nxënëse e cila po e shpalosë talentin e saj dhe DKA-ja do të mbështetë përherë ngjarje të tilla.
Në shenjë mirënjohje, në emër të DKA-së, Gagica i ka dhënë një mirënjohje piktores së re, Elza Zymberit me dëshirën që ajo të bëhet një piktore me emër me të cilën do të krenohet kjo anë dhe Gjilani.
Në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, drejtori i DKA-së ka premtuar se talentët e rinj, nxënësit me kreativitet do të përkrahen nga komuna në forma të ndryshme dhe do të ketë mbështetje edhe për ekspozita të radhës të kësaj krijueseje, por po ashtu edhe përkrahje të talentëve të tjerëve.
Drejtori i shkollës Rrahman Agushi, duke vlerësuar lartë praninë e artdashësve në këtë ekspozitë, ka thënë se për shkollën është shumë e rëndësishme kjo ngjarje kulturore, pasi që më shumë se gjithçka tjetër, e rëndësishme është se para nesh po flasin punimet artistike të piktores së ardhshme Elza Zymberi.
Duke folur për autoren e ekspozitës personale, të nxënëses së klasës së 9-të, paralelja 1, të kësaj shkolle, Elza Zymberit, drjetori Agushi tha se ajo është edhe një dëshmi se në këtë shkollë kemi talent të cilët duhet t’i vlerësojmë dhe të i përkrahim drejt realizimit të synimeve që kanë.
Ai shtoi se për këtë sukses meritor është edhe profesori i artit figurativ, Valdrin Bajrami, që e ka mbështetur profesionalisht talentin e kësaj nxënëseje.
Ndërsa, njëri ndër meritorët që ka përkrahur dhe ka ndikuar që talenti i Elzës të vije në sipërfaqe, pa dyshim është edhe arsimtari i Artit Figurativë në këtë shkollë, Valdrin Bajrami, i cili ka thënë se Elza, brenda një viti, ka arritur të krijojë afër 100 punime artistike, prandaj vlerësoi se është meritore që Elza të prezantohet me ketë ekspozitë personale.
Ai ka thënë se një talente si Elza, duhet të ketë përkrahje të vazhdueshme, andaj edhe ai, si arsimtar i saj, ka punuar që kjo ekspozitë të jetësohet dhe të shpërfaqet talenti i saj. Ai ka falënderuar shkollën, drejtuesit e saj që kanë mundësuar jetësimin e kësaj ekspozite me vlerë.
Profesori i shkollës së mesme të Artit Pamor, Rasim Vllasaliu ka thënë se ndihet i nderuar që është pjesë e kësaj ekspozite ku një nxënëse përmes punimeve të saj shpreh talentin që ka, një koleksion befasues, bazuar në të arriturat vetëm në shkollë dhe vullnetin e saj.
“Kjo ekspozitë në tërësi është e nivelit të lartë, prandaj presim që kjo talente të vazhdojë me shkollim në këtë fushë, sepse ne si shkollë e lartë e Artit pamor jemi të interesuar të mos kemi vetëm numër por të kemi vlerë e talent, nxënës të mirë për të vazhduar tutje drejt profesionalizmit”, ka thënë Vllasaliu.
Vet autorja e punimeve të ekspozuara, Elza Zymberi është shprehur e lumtur që iu është jetësuar dëshira e saj për të ekspozuar punën që ka bërë deri më tani në këtë drejtim.
Duke falënderua të gjithë të pranishmit që e nderuan me pjesëmarrje ajo ka veçuar drejtorin e DKA-së, Nazim Gagicën, arsimtarin e saj, Valdrin Bajramin, drejtues të shkollës, por edhe mysafirë nga shkolla e artit pamor e të tjerë, si Rasim Vllasaliu, Gëzim Brestovci, Magbule Xhemaili e të tjerë, për inkurajimin dhe përkrahjen që po ia bëjnë asaj.
Më këtë rast, ajo ka dhuruar një pikturë, me portretin e heroit Agim Ramadani, për arsimtarin Valdrin Bajramin, në shenjë nderimi për përkrahjen e vazhdueshme profesionale.
Përndryshe, ekspozita me punimet personale të Elza Zymberit do të qëndrojë e hapur për një javë ditë, që nxënësit dhe të interesuarit të tjerë të mund ta vizitojnë, për ta parë nga afër talentin dhe kreativitetin e kësaj nxënëse e cila synon rrugëtimin e saj në këtë fushë.