Qeveria e Kosovës në fillim të kësaj jave vendosi që me buxhetin e vitit 2019, të rrisë pensionet për disa kategori. Pensionet bazike, pensionet kontributdhënëse dhe ato të parakohshme të punëtorëve të Trepçës, janë ato që janë rritur me vendimin e fundit të ekzekutivit. E në këtë rritje nuk u përfshinë kategoritë e dala nga lufta, ku përfaqësuesit e tyre po kërkojnë nga kryeministri që të ketë rritje të pensioneve edhe për ta.
Numri i përgjithshëm i pensionistëve në Kosovë sillet rreth 170 mijë. 25 mijë janë shfrytëzues të pensionit të pleqërisë, ndërsa 45 mijë janë kontributpagues.
Dje janë procesuar pensionet me rritje, 20% për pensionet bazike, familjare, dhe invalidore të punës, 20% për pensionin e parakohshëm të Trepçës dhe 15% për pensionet kontributdhënëse.
Por rritje të pensionit po kërkojnë edhe kategoritë e tjera përfituese të skemave sociale dhe pensionale në Kosovë.
Xhevdeti Qeriqi, kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të veteranëve, është shprehur i zhgënjyer nga shefi i ekzekutivit Ramush Haradinaj.
“Kryeministër ne si luftarë a nuk e merituam të paktën një euro ngritje të pensioneve a? Kemi besuar dhe shpresuar shumë tek ju, mirëpo kësaj here na ke zhgënjyer”, ka shkruar Qeriqi.
I kontaktuar nga KosovaPress, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari ka sqaruar se kategoritë e dala nga lufta janë kategori e veçante dhe si e tillë nuk janë përfshirë në rritjet e fundit të pensioneve bazike dhe kontributdhënëse.
“Nuk jemi përfshire në rritje, jemi kategori e veçante, por presim nga Qeveria e Kosovës. Ne i kemi dërguar kërkesat tona të kryeministri i vendit, dhe po presim, shpresojmë të marrim përgjigje pozitive”, ka thënë Jashari përmes telefonit.
Ndërsa dje, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka deklaruar se brenda mundësive buxhetore do të vazhdojnë me rritjen e pensioneve edhe për kategoritë e tjera përfituese të skemave sociale dhe pensionale në Kosovë.
“Sot i procesuam për pagesë pensionet me rritje prej 20%, për kategoritë e pensionit bazë, pensionit familjar, pensionit invalidor të punës dhe pensionet e parakohshme të Trepçës, si dhe pensionet kontributive me rritje prej 15%, duke përfshirë edhe pagesën retroaktive të muajit janar. Si ministër i MPMS, mbetem i përkushtuar që edhe në vijim, brenda mundësive buxhetore të vazhdojmë me rritjen e pensioneve edhe për kategoritë tjera të përfituesve të skemave sociale dhe pensionale”, ka shkruar ai në facebook.
Përndryshe, në ligjin për buxhetin e këtij viti, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë të vendosur të subvencionet dhe transferet.
Në këtë pikë të ligjit thuhet se shpenzimet për subvencionet dhe transferet do të vazhdojnë ecurinë rritëse edhe gjatë vitit 2019.
Rritja e shpenzimeve për këtë kategori vjen si rezultat i financimit për Ligjin mbi Veteranët e Luftës, mbulimit të kostos së ndryshimit në ligjin e pensioneve, dhe rritjes së përfituesve në skemat tjera.
Kategoria e shpenzimeve ‘subvencione dhe transfere’ gjatë vitit 2019 pritet të arrijë vlerën prej 609 milionë euro.
Në raport me vlerën e buxhetuar për vitin 2018, shpenzimet e planifikuara për këtë kategori pritet të jenë më të larta për 15.9%, ndërsa në vitet vijuese 2020 dhe 2021 nuk presim një rritje të ndjeshme por vetëm rregullime brenda kësaj kategorie.
Kujtojmë se buxheti për vitin 2019 është miratuar në shumën prej mbi 2.3 miliardë euro.