Fshati Dobërçan, edhe pse gjendet në Kosovë, në komunën e Gjilanit, çdo ditë e më tepër po u përngjan fshatrave zvicerane.
Fshati Dobërçan konsiderohet si fshati më i pastër në Kosovë. Pjesa dërmuese e banorëve të tij jetojnë jashtë vendit por ata janë organizuar dhe përveç që kanë realizuar shumë projekte kanë bërë që fshati i tyre të jetë shembull i rregullit dhe pastërtisë.
Apelet për ruajtjen e pastërtisë nuk janë të pakta nga qytetarët e Dobërçanit.
Mirëmbajtja dhe kujdesi që kanë ata për mjedisin vërehet në të gjitha rrugët e këtij fshati.
Mobilizimi i këtij komuniteti e ka bazën jashtë vendit.
Shoqata “17 shkurti” me bazë në Cyrih e themeluar nga qytetarët e Dobërçanit që jetojnë jashtë vendit është ajo që i financon projektet që i bëjnë këta të rinj në këtë fshat
Fshati me rreth katër mijë banorë kujdeset vetë për mirëmbajtjen e Qendrës së Shëndetit, Qendrës Kulturore, parqeve dhe pastërtisë së fshatit.
Kjo gjendje ishte ndryshe para se të fillonte mobilizimi për vullnetarizëm aty.
Dobërçani njihet si një ndër fshatrat më të pastërta në Kosovë.
Me shportat për mbeturina, drunj zbukurues rreth lumit, parkun e gjelbëruar, me varreza të mirëmbajtura si dhe me dy punëtorë, të cilët punojnë për çdo ditë për pastërtinë e fshatit skaj më skaj, nuk mund të jetë ndryshe nga një fshat i organizuar mirë.
Shoqata “17shkurti.ch” është themeluar në shkurt të 2009-ës në Zvicër nga bashkëfshatarët e Dobërçanit që jetojnë në diasporë, e veçanërisht në Zvicër. Ajo deri tash ka kryer një numër të madh projektesh në Dobërçan, duke ndërtuar shtëpi, duke u ndihmuar familjeve nevojtarë, duke i ndihmuar të sëmurët që kanë pasur nevojë për të holla, etj.