Derisa po gërmonte tokën për ndërtimin e një garazhe, Ilaz Ramushi, nga fshati Llashticë e Gjilanit, ka hasur në disa mbetje të pazakonta.
Eshtra e kafka njerëzish, enë e gjësende të tjera, dyshohet se kanë mbetur në tokën e Ramushit, qysh nga kohërat e lashta, raporton KTV.
Sipas tij, shumë vite para luftës, këtë zonë e kanë vizituar edhe arkeologë nga Shqipëria, të cilët, atë kohë, i kishin thënë se në këtë vend mund të kenë jetuar ilirët.
Edhe vëllai i tij, tregon se kjo nuk është hera e parë që ata kanë gjetur të tilla mbetje mortore.
Por, një banor i fshatit tregon se mbetjet që po gjenden në këtë tokë mund të jenë edhe si shkak i manastirit që ka qenë më herët në këtë fshat.
Beqir Veseli, banor i fshatit Llashticë, ka treguar se edhe herëve të kaluara, kur në zona të tjera të fshatit janë gjetur mbetje mortore, zyrtarë nga Instituti Historik i Gjilanit nuk kanë shprehur interesim për to.
Ndërkaq, në komunën e Gjilanit nuk kanë njohuri në lidhje me këtë rast, por kanë thënë që do të interesohen për verifikimin e ADN-së së eshtrave të gjetura nga banorët.
Mbetje mortore që janë gjetur më herët, sipas banorëve të fshatit Llashticë, janë marrë për ekspozim nga Muzeu i Gjilanit.