Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj sot priti në takim delegacionin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Pas këtij takimi, Hoxhaj u shpreh optimist për çështjen e liberalizimit të vizave duke thënë se mund të ketë lajme të mira në verën e këtij viti.
“Kemi diskutuar për liberalizmin e vizave, fitova një përshtypje që pas zgjedhjeve në Bashkimin Europian në maj të këtij viti, mund te krijohet një rrethanë e re dhe në verë mund të ketë vendimmarrje pozitive”, deklaroi Hoxhaj.
Po ashtu, zv.kryeministri u shpreh se evropianët janë të vendosur që të mbyllet dialogu Kosovë-Serbi, ndërsa ishte diskutuar edhe çështja e taksës për produktet serbe dhe boshnjake.
“Rrallë herë i kam parë evropianët më të vendosur qe të mbyllet dialogu Kosovë-Serbi me njohje të ndersjellë. Një shqetësim të tretë qe e kishin ishte çështja e taksës. Duan ta shohin pezullimin e taksës si mundësi për vazhdim të dialogut”, vijoi Hoxhaj.
Ndërsa David McAllister, që udhëheq delegacionin prej 7 eurodeputetëve, tha shkurt se kanë biseduar për çështjet aktuale, liberalizimin e vizave dhe se si mund të avancojnë dialogun Kosovë-Serbi.