Ligji për pagat i miratuar muajin e kaluar nga Kuvendi i Kosovës, po kritikohet nga partitë opozitare. Ndërsa, konsiderohet që rrethanat e reja që mund të ndodhin në muajt në vazhdim dhe zgjedhjet e mundshme do të rrezikonin implementimin e këtij ligji, pasi siç deklaron opozita, do të ishte barrë e madhe për cilëndo qeveri të paguaj këtë kosto, duke vlerësuar se është në shpërputhje me zhvillimin ekonomik të vendit.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi deklaron për KosovaPress se ende nuk ekziston një pasqyrë e qartë se sa ka me qenë kosto financiare e Ligjit për Pagat.
Thotë se krejt kjo po ndodhë ngase deri në momentin e fundit janë bërë pazare për koeficientet.
Bislimi vlerëson se për shkak të zhvillimeve politike, implementimi i këtij ligji mund të mos ndodhë.
Edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet skeptike rreth këtij Ligji.
Deputeti i kësaj partie, Lutfi Zharku thotë se duhet të konsiderohet që nëse nuk ka mjete për shumën që aktualisht vlerësohet kosto e buxhetit, atëherë të zbritet vlera e tij.
Ndërsa, për shefin i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu nuk ka asnjë rrezik që Ligji për pagat mos zbatohet në praktik.
Sipas tij, ligji duhet të hyj në fuqi siç është paraparë pas nëntë muajve dhe se Qeveria duhet të ketë të qartë çfarë të bëjë për zbatimin e tij.
Ministri i Financave, Bedri Hamaza thotë se pavarësisht të gjithave, Ligji do të zbatohet dhe shprehet i bindur se buxheti i shtetit e ka fondin më se të mjaftueshëm, kur dihet se ai hyn në fuqi në pjesën e fundit të vitit 2019.
Shefi i kuletës së shtetit, thotë se vetëm 24 milionë euro është dallimi me masën e pagave të shpenzuara nga viti 2018, tek aktuali 2019 që do të jetë me rritje të pagave.
Pranon se problematike mund të jetë ndonjë dallim në kornizën afatmesme të shpenzimeve.
Kosova pas 11 vjet shtet, për herë të parë ka Ligjin për Pagat, i cili po kritikohet nga shumë grupe.