Përveçqë nuk dihet sa i ka kushtuar qeverisë shënimi i 11-vjetorit të pavarësisë, fondi gjysmë-milionësh i ndarë për këtë qëllim, nuk po gjendet.
Deputeti Korab Sejdiu, më 20 shkurt i kishte nisur një kërkesë Ministrisë së Financave për të ditur se si janë shpenzuar fondet, por Ministri Bedri Hamza i kishte thënë Sejdiut të drejtohet në Ministrinë e Kulturës, raporton KTV.
Kjo pasi, sipas përgjigjes së Hamzës, MKRS-së i janë vënë në dispozicion mjetet dhe ka qenë përgjegjëse për shpenzimin e tyre.
Sejdiu, sipas udhëzimit, i është drejtuar Ministrisë së Kulturës, por kjo e fundit ka befasuar me përgjigje.
Mjetet e dedikuara për këtë qëllim, sipas përgjigjes së sekretarit Veton Firzi, nuk i kanë mbërritur asnjëherë ministrisë.
Rrjedhimisht, MKRS-ja, deri më tani, nuk ka bërë asnjë pagesë për shpenzimet në shënimin e 11-vjetorit.
Në këtë situatë, deputeti Sejdiu ka ironizuar duke shkruar se “Me gjasë, festa paska qenë GRATIS”.
Por, tashmë dihet se nuk ka qenë kështu.
KTV raportoi javën e kaluar për shpenzimet e fryra të planifikuara për këtë ngjarje dhe mospërputhjen mes planifikimeve dhe aktiviteteve të zhvilluara.
Përfaqësues të kompanisë “Dizarium” i kishin mohuar numrat e paraqitur në planifikimet e bëra, derisa shtuan se ka një faturë finale për shpenzimet e 11-vjetorit.
E, derisa të dalë fatura finale, zyrtarisht, shpenzimet për 11-vjetorin do të variojnë ndërmjet ‘GRATIS’ e ‘gjysmë milioni euro’.