Një intervistë e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, dhënë për Gazetën Express, të dielën, ka nxitur një përplasje mes tij dhe Halil Matoshit, njëri prej këshilltarëve më të zëshëm të kryeministrit Ramush Haradinaj.
Haziri, i cili po ashtu mban postin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, ka deklaruar se pret që qeveria e vendit të rrëzohet, bashkë me taksën që ajo ka vënë ndaj Serbisë.
Kjo deklaratë e Hazirit e ka zemëruar ndihmësin e Haradinajt, duke bërë që ai t’i reagojë zyrtarit të lartë të LDK’së.
Matoshi e ka cilësuar Hazirin këshilltar të presidentit të vendit Hashim Thaçi, teksa ka vlerësuar se nënkryetari i LDK’së e kundërshton taksën, sepse, sipas tij, ajo ia prish atij planin për ndarjen e Kosovës.
E, Haziri ka reaguar menjëherë ndaj akuzave të Matoshit, në natën e së dielës. Duke folur për Gazetën Express, Haziri ka thënë se Matoshin nuk e merr seriozisht as shefi i tij.
“Halil Matoshin nuk e marrin serioz as ish kolegët e tij në media, e as shefi aktual i tij. Ai është njëri prej njerëzve ma jokonsistentë në qëndrime në jetën publike”, ka thënë Haziri.
“Është munduar të bëjë emër duke qenë herë rugovist, e herë antirugovist, herë militant i Hashim Thaçit e herë kinse kritikues i tij”, është shprehur Haziri.
Herë pas here, ka dalë edhe kundër Veton Surroit, derisa i shkoi në përqafim në ORA”, ka kujtuar Haziri.
“Tek ma vonë, nisi të thotë që veç LDK është partia që e ruan shtetin, por i shkoi në ‘përqafim’ Ramush Haradinajt”, ka thënë Haziri, duke folur për Gazetën Express.
“Çka të them më shumë për të dhe kush e merr për serioz?!”, ka shtuar Haziri më tej.
“Njëmend, Halil, unë jam akuzuar një herë edhe për ndryshim të kufirit, edhe për terrorizëm bile! Po ta përsëris që e drejta e shqiptarëve të Kosovës Lindore është kauzë, është përpjekje për liri e bashkim. Për fund, Halil mos harro që me votat e presidentit dhe të partisë së tij je në Zyre të Kryeministrit!”, ka thënë nënkryetari i LDK’së, duke iu drejtuar drejtpërdrejt këshilltarit të Haradinajt. /Express/