Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se taksa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake do të mbetet edhe më tutje në fuqi.
Sipas tij për t’i rregulluar marrëdhëniet me Serbinë është njohja reciproke ndërmjet dy vendeve. “Jam thellë i bindur se do të rikthehemi në dialog, kërkojë ndihmën për tu kthyer në dialog, por jo me taksën”, tha Haradinaj sot në një konferencë për media pas takimit që pati me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, raporton RTKlive. “Besoj që jemi tash pas taksës po flas për arsye se dihet gjendja me taksën është e vendosur dhe mbetet, por mënyra mos me i prish marrëdhëniet me Amerikën dhe mënyra me i forcua më shumë dhe shpresoj edhe me i ndreq marrëdhëniet me Serbinë është me u arrit njohja reciproke Kosovë-Serbi në kufijtë ekzistues, pra kjo është mënyra me dal ku jemi, jam thellë i bindur se do të gjendet me u rikthye dialogu për shkak se edhe Serbia, edhe ne aspirojmë anëtarësimin në BE, mos me u lidh ose mos me u kushtëzua me taksën dhe kërkoj ndihmën e të gjithëve që të rikthehet dialogu e mos të lidhet me taksën, ndërsa kur kemi marrëveshje, marrëveshja i zgjidh krejt temat e hapura Kosovë-Serbi”, tha ai.
Kurse kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se dihet qëndrimi i tij për korrigjim të kufirit. “Kosova e 17 shkurtit mbetet e paprekshme. Të gjithë jemi për dialog, për mënyrën se si të zhvillohet dialogu kemi dallime dhe besoj shumë që me rolin e kryeministrit, kryetarit të LDK-së dhe të tjerëve, do të gjendet një mënyrë që të gjendet një unitet dhe për t’i tejkaluar këto dallime”, tha ai./rtk/