Federata e Futbollit të Kosovës ka diskutuar me të gjitha klubet mundësinë për ta shkurtuar Superligën nga 12 në 10 ekipe. Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu ka deklaruar për Indeksonline që kjo mund të ndodhë nga edicioni i ardhshëm.
Kjo është kompetencë ekskluzive e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës. Nuk mund të vendoset në Kuvendin e Punës. Ka mundësi që nga edicioni 2019/20 të largohen 4 skuadra nga Superliga, e nga viti 2020 e tutje të jenë vetëm 10 skuadra në elitë” deklaroi Salihu.
Që nga viti 2009 Superliga në Kosovë ka pasur 12 skuadra dhe ndeshjet luhen sipas sistemit të Bergerit. Skuadrat ballafaqohen 3 herë me njëra tjetrën gjatë një edicioni. Ndërsa me shkurtimin e numrit të ekipeve, brenda një edicioni do të luanin 4 herë mes vete.