Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se janë duke e përcjellë në mënyrë permanente situatën epidemiologjike me Ethet Hemorragjike në të gjitha vatrat e infeksionit, ku përfshihen Malisheva, Rahoveci, Klina, Suhareka, Gjakova, duke vazhduar sivjet edhe me mbikëqyrjen e vendeve fqinje.
“Duke pasur parasysh se që nga viti 2013 nuk është shënuar asnjë rast fatal me EHKK pasi që kemi realizuar me sukses masat profilaktike dhe kundërepidemike, ne duhet të vazhdojmë realizimin e aktiviteteve në terren sepse kemi të bëjmë me një sëmundje endemike, vdekjeprurëse dhe praninë e rriqrave në vatrat endemike të cilat bartin virusin e EHKK”.“Edhe pse rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara, qytetarëve u bëhet apel që edhe më tutje të vazhdojnë të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave, sidomos në zonat Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë pasi që tashmë temperaturat kanë filluar të ngriten dhe rriqrat kanë filluar të dalin në sipërfaqe të tokës”, thuhet mes tjerash në komunikatën për media të këtij instituti.
Këto janë disa nga rekomandimet e këtij instituti për gjithë qytetarët:Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt,Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë.