Në nderim të 21 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, pranë varrit të komandantit Adem Jasharj dhe familjes Jashari kanë bërë edhe veteranët e UÇK-së.
Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, ka thënë se çdo fitore e shqiptarëve e ka nisjen nga Prekazi.
“Ju e dini që 5, 6 dhe 7 marsi janë një ditë e madhe për popullin mbarë shqiptar jo vetëm për Kosovën. Ne sot e festojmë këtë ditë me të gjithë qytetarët e Kosovës duke e ditur punën dhe sakrificën e komandantit legjendar komplet me familje dhe lagjja Jashari që kanë bërë për vendin tonë. Në këtë luftë nuk kanë fituar vetëm Kosova, por ka fituar mbarë populli, edhe trojet përreth, sidomos shqiptarët në Maqedoni, tash e kemi rastin edhe shqiptarët në Mal të Zi ku Tuzi është bërë komunë dhe fituan shqiptarët. Do të thotë çdo gjë e ka themelin nga Prekazi “, tha ai.
Pranë varreve të Jasharajve homazhe ka bërë edhe kryetari i Unionit të Shqiptarëve në Kroaci dhe kryetar i Shoqatës shqiptare të luftëtarëve në luftën atdhetare për Kroaci, Esad Çollaku, i cili ka thënë se pavarësia e Kosovës ka ndodhur me 5, 6 dhe 7 mars.
“Ne si diasporë është e veçantë kjo ditë për ne, sepse e lidhim me altarin e atdheut dhe pikërisht për këtë mbarë kombi shqiptar duhet të jetë i vetëdijshëm se nga kjo familje e cila u flijua që sot ta kemi lirinë tonë vjen edhe burimi i shtetit dhe pavarësia e shtetit. Pavarësia e shtetit nuk ka ndodhur me 17 shkurt, pavarësia e shtetit ka ndodhur me 5, 6 dhe 7 mars, ku familja Jashari tregoj se sa duhet të duhet atdheu dhe të mos kursehet jeta e gjithë familjes”, tha ai.
Ai ka pasur një mesazh për institucionet e Kosovës që datat 5, 6 dhe 7 mars të jenë festa, që sipas tij të gjithë të kenë mundësinë të vijnë në Prekaz.