Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE) në lidhje me bisedimet dhe marrëveshjen Kosovë – Serbi është i njëjtë, nga ata thuhet se nuk duhet të ketë vija të kuqe nga asnjëra palë, si ajo kosovare dhe serbe, transmeton Gazeta Metro.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) deri tani kanë treguar se në lidhje me marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, nuk kanë ndonjë qëndrim të prerë se cilat kushte duhet t’i respektojnë dy shtetet, mirëpo kanë thënë se çdo marrëveshje që del nga dy palët do të respektohet nga SHBA’të dhe do të përkrahet fuqishëm.
SHBA’të kanë thënë se nuk duhet të ketë vija të kuqe lidhur me çështjet që mund të parashtrohen në fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do ta zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve, transmeton Gazeta Metro.
Por, sikurse SHBA’të edhe Bashkimi Evropian (BE) ka dhënë qëndrimin e njëjtë se nuk duhet të ketë vija të kuqe nga asnjëra palë, çdo gjë që del nga tavolina e bisedimeve në Bruksel, ajo duhet të respektohet nga Kosova dhe Serbia.
Në këtë mes është përfshirë edhe Rusia, ku vet Presidenti Vladimir Putin ka deklaruar se çdo marrëveshje që del nga tryeza e bisedimeve në Bruksel do të respektohet nga shteti i tij.
Mundësinë e mosekzistimit të “vijave të kuqe” në negociata me Serbinë, me herët e kishte theksuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Më 28 qershor të vitit 2018, ai pati thënë se “nuk do të ketë vija të kuqe sikurse që kishte nga Grupi i Kontaktit në rastin e bisedimeve të Vjenës”, transmeton Gazeta Metro.
Ditë më parë, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott, u ka thënë medieve serbe që vendi i tij “nuk i tërheq ‘vijat e kuqe’, nuk përcakton se çfarë do të ndodhë, por në qoftë se ajo për të cilën do të pajtoheshin palët e stabilizon rajonin, atëherë me siguri që do ta ketë mbështetjen” amerikane. Ambasadori Scott ka theksuar se presin që palët të arrijnë vet marrëveshje nën ombrellën e Bashkimit Evropian.
Zyrtarët e SHBA-së kanë theksuar se presin që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse brenda vitit 2019, e cila, siç kanë thënë, do të përfundojë me njohje reciproke.