Riza Shillova, drejtor i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës, ka thënë se trafikimi me narkotikë është kërcënimi më i madh për sigurinë në Kosovë, sipas një hulumtimi të kryer nga PK-ja.
Në Puls të KTV-së ai ka thënë se pas trafikimit me lëndët narkotike, si kërcënime të mëdha janë trafikimi me qenie njerëzore, terrorizmi, krimet kibernetike, kontrabandimi me migrantë, me mallra e më pas krimi ekonomik.
Ai ka thënë se trafikimi me narkotikë ka shënuar rritje vjetëve të fundit, duke theksuar se Kosova shërben më shumë si vend transit.
“Kosova s’është vend i origjinës apo prodhues, por është vend transit. Po ashtu s’jemi as vendi i parë as i fundit për narkotikë. Kryesisht narkotikët kanë destinacionet vendet e zhvilluara të BE-së dhe SHBA-së”, ka thënë ai.
Sipas tij, më 2018 janë regjistruar 1816 raste të reja të trafikantëve me narkotikë, ndërsa mbi 1000 kilogramë narkotikë janë konfiskuar për një vit.
Ai ka thënë se janë kontrolluar mbi 40 mijë persona, ndërsa vetëm afër shkollave janë arrestuar 596 persona për këtë vepër. Në total janë arrestuar mbi 2100 persona për trafikim me narkotikë.
Shillova ka thënë se sipas informatave jo të 100 për qind të sakta, në Kosovë janë rreth 260 mijë armë ilegale.
Në anën tjetër, Mensur Hoti, drejtor i Departamentit për Siguri Publike në MPB, ka thënë se që nga nisja e fushatës për legalizim të armëve deri tash janë bërë 500 kërkesa.
“Kjo s’është shifër e papërfillshme. Jemi afër planifikimeve tona”, ka thënë ai.
Të dhënat e policisë kanë treguar se po ashtu janë shtuar grabitjet e armatosura. Vetëm vitin e fundit u tha se janë 297 raste të grabitjes.
Në anën tjetër, i ashpër ishte eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi. Ai tha se policia ka dështuar të zbulojë grabitësit teksa ka shtuar se si pasojë e dështimit ka pasur edhe vrasje.
Në Kosovë, sipas Policisë janë rreth 19 grupe të fajdexhinjve.