Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka folur pas takimit që ka pasur me dy këshilltarët e kancelares gjermane Angela Merkel.
Përveç temës së korrigjimit të kufijve, dialogut të Brukselit, ai ka folur edhe taksën dhe kontrabandën që po bëhet në veri të Kosovës.
Në një konferencë për media, Vuçiq ka thënë se një serb kishte marrë para për të treguar se nga po hyjnë në Kosovë, kamionët me mallra serbe, veprim që sipas tij ka shkaktuar zemërim të madh.
“Ata po i mbyllin të gjitha linjat që kamionët tonë të transportojnë, lëshojnë urdhër arreste, pra ata po bëjnë çfarëdo që iu bie në mend, kundër njerëzve që dëshirojnë ta mbrojnë veriun”, ka thënë Vuçiq, shkruan blic.rs.
“Ata nuk po lejojnë asnjë rrjedhje mallrash në veri. Në jug gjithashtu ka probleme të mëdha me furnizim. Ata dëshirojnë që të na ndalojë tashmë çdo gjë në veri”, ka shtuar tutje kreu i shtetit serb.
Duke e parë këtë situatë, dhe vazhdimin e taksës, Vuçiq thotë se është e qartë se janë shumë larg normalizimit të raporteve dhe arritjes së një marrëveshje.