Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë se qëndrimi i tij në raport me ndryshimin e kufijve të Kosovës është realist.
Arifi, në RTV Dukagjini, ka thënë se shqiptarët në Preshevë i kanë definuar kërkesat minimaliste dhe maksimaliste ndaj Kosovës.
“Kërkesa jonë minimaliste është reciprociteti. Pra atë që kanë serbët në Kosovë ta kenë edhe shqiptarët në Liginën e Preshevës. Kërkesa jonë maksimale është bashkangjitja e Luginës së Preshevës shtetit të Kosovës”.
Kryetari i Komunës së Preshevës ka thënë se megjithatë bashkimi me Kosovën duhet t’i plotësojë disa kushte në mënyrë që të mos dëmtohet Republika e Kosovës.
“Bashkangjitja mund të ndodhë nëse nuk cenohet tërësia e Luginës së Preshevës. Nëse shkojmë të gjithë me Kosovën është e pranueshme. Nëse një pjesë e popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës mbetet në Serbi, nuk jemi për bashkim me Kosovën”.
“…Jemi për bashkim me Kosovën nëse nuk bëhen shkëmbime territoresh, ndryshe nuk pranojmë bashkimin me Kosovën. Jemi po ashtu për bashkim me Kosovën nëse nuk cenojmë miqësinë me ndërkombëtarët”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Arifi ka thënë se ai dhe subjekti i tij politik ka qenë realist që nga fillimi në raportet Kosovë-Serbi.
“Ne jemi nisur nga ajo çfarë është e mundshme të realizohet”, tha Arifi