Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Deputetët nga radhët e këtyre dy partive politike, njëzëri u shprehen se e kundërshtojnë në tërësi kushtetutshmërinë e këtij ligji.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha se ky ligj shkel kushtetutën së paku në nëntë nene.
“Ne po e kontestojmë në tërësi këtë projekt ligj, ky projektligj shkel nenin 2, nenin 4, nenin 7, 18, 20, 90 dhe 94, dhe të gjitha këto shkelje antikushtetuese”, tha ai.
Sipas tij, përmes këtij ligji po krijohet një tendencë që të avancohet një trup, si ekipi i dialogut e që është antikushtetues.
“Kjo përpjekje e cenon rëndë hierarkinë e institucioneve dhe synon që të deformohen pushtetet në Kosovë“, shtoi Selmanaj.
Kurse, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, tha se presidenti i vendit ka marrë përsipër çështjen e dialogut, pa asnjë autorizim nga Kuvendi, gjë që sipas saj është antikushtetuese.
“Kuvendi deri më tani do të duhej që ndalonte Presidentin Hashim Thaçi të dialogojë për ndarje të Kosovës”, tha ajo.
Ajo konsideron se përmes këtij ligji po mundohen që t’ia përshtatin mënyrën e dialogun presidentit Thaçi.
Haxhiu bëri të ditur se kanë kërkuar që menjëherë të vendoset masë e përkohshme për të ndaluar këtë ekip të marrë ndonjë veprim për dialogun me Serbinë.
Ajo ka paralajmëruar se për të kundërshtuar këtë çështje do të organizojnë edhe protesta.
Protestat nuk i përjashtoi as deputeti Selmanaj, i cili tha se megjithatë i shohin si mjetin e fundit të kundërshtimit.