Çështja e kyçjes së Vitisë në autostradën Prishtinë-Shkup ka marrë një zhvillim të ri. Kjo temë ka qenë edhe arsyeja pse Kuvendi komunal mbajti sot një seancë të jashtëzakonshme ku kuvendarët vitias diskutuan për këtë projekt vital për rajonin e tyre.
Pas diskutimeve të shumta me akuza e arsyetime, grupet e të gjitha partive politike të Kuvendit, LDK, PDK-, LVV, AAK, NISMA dhe AKR, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët përmes së cilës kërkuan nga instancat më të larta të shtetit që në fshatin Gërlicë, Vitisë t’i krijohet një qasje në autostradën Prishtinë-Shkup.
Në këtë deklaratë është kërkuar që vitiasit të kenë një takim me Kryeministrinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentarin, Kadri Veseli.
Deklarata thekson se në rast të mos realizimit të kërkesës së Vitisë do të ketë protesta.
Përmes kësaj deklarate të gjithë u dakorduan që Komuna t’i drejtohet institucioneve të nivelit qendror, duke kërkuar që qytetarëve të kësaj komune të ju mundësohet lidhja me këtë autostradë në pikën në Gërlicë, për arsye se është interes i qytetarëve të Vitisë dhe nuk duhet të dëmtohet në asnjë formë perspektiva e së ardhmes e kësaj komune.
Gjithashtu u tha se kjo kërkesë, përfaqëson vullnetin e 50 mijë qytetarëve./PlusTv/
Rreth 50 mijë qytetarë të Vitisë duan kyçjen në autostradë, Kuvendi komunal kërkon takim me Haradinajn e Veselin
Ndani këtë artikull