Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë se gara për të parin e kësaj partie duhet të bëhet në mënyrë të dinjitetshme dhe jo të ketë luftë të paskrupullt brenda saj.
Ai, me rastin e 29 vjetorit të LDK-së në Podujevë tha se gara brenda partisë së tij duhet të jetë serioze, e jo të ketë luftë brendapërbrenda saj.
“Sa herë mbahen zgjedhjet në LDK është sikurse të mbahen zgjedhje nacionale. Nuk duhet të ketë luftë në garën brenda nesh, jo luftë e paskrupullt brenda nesh, por garë që LDK-në e ka mbajtur si subjektin më të madh e më serioz. Jam i bindur që kjo ditë vije në shprehje”, tha Beqiri.
Ai, përveç kësaj nuk ka lënë pa përmendur edhe dialogun me Serbinë dhe çështjen e korrigjimit të kufijve. Tha se si parti nuk do ta mbështesin asnjë ide të korrigjimit të kufijve me Serbinë.
“Ne nuk do të përkrahim kurrfarë korrigjimi të lehtë e as të rëndë të kufirit me këto sjellje të presidentit antikushtetuese e anti ligjore. ne e kemi Kosovën e 17 shkurtit 2008” tha ai.
Ai doli kundër edhe Ekipit Negociator ku tha se vendi ynë nuk ka nevojë për ekipe të tilla.
“LDK kurrë nuk ka qenë kundër dialogut, por jo me çfarëdo përfaqësuesish. Kosovës nuk i duhet ekipe negociatorësh. Ne i kemi institucionet sado që të lodhëta janë ato”, tha ndër të tjera ai.